Informacione të mbështetura nga ekspertët për shëndetin seksual Shtatzënia Ndërprerja e shtatzënisë - Informacione dhe këshillimoret

Ndërprerja e shtatzënisë - Informacione dhe këshillimoret

Shtatzënia e paplanifikuar mund të shkaktojë një krizë në jetën e një gruaje, të një burri ose të një çifti. Parashtrohen pyetje themelore dhe vetëm ju jeni në gjendje që të gjykoni se çfarë do të thotë shtatzënia në situatën tuaj dhe mund të vendosni nëse dëshironi të vazhdoni me shtatzëninë ose ta ndërprisni atë.

Një ligj federal përcakton që në rast të ndërprerjes së shtatzënisë pjesëmarrësit e drejtpërdrejt kanë të drejtë për këshillimin dhe ndihmën falas. Pavarësisht nga kjo, nëse ju tashmë keni marrë një vendim ose keni dyshime lidhur me këtë: Këshillimoret e njohura nga kantonet për shëndetin seksual dhe planifikimin familjar shërbejnë për atë që t' ju informojnë, mbështesin dhe këshillojnë (Ligji federal 875.5 i vitit 1981). 

1. Legjislacioni Zviceran për ndërprerjen e shtatzënisë

Gjatë 12 javëve të para të shtatzënisë (llogaritur nga dita e parë e menstruacioneve) vendimi është i gruas shtatzënë. Nëse ajo vendos për ndërprerjen e shtatzënisë, në kuadrin e konsultimeve mjekësore, asaj i duhet të nënshkruajë një dokument, në të cilin deklaron se ajo është në nevojë. Ajo e përcakton vetë këtë nevojë dhe nuk duhet ta vërtetojë atë.

Ndërprerja e shtatzënisë pas javës së 12-të të shtatzënisë është legale, nëse shëndeti fizik dhe/ose psikik i gruas shtatzënë është i rrezikuar. Mjeku ose mjekja ka për detyrë që ta vlerësojë këtë rrezik dhe të marrë një vendim. Sipas ligjit rreziku duhet të jetë aq më i madh, sa më e avancuar të jetë shtatzënia (më shumë muaj) (Kodi Penal Zviceran, neni 119).

Gra të reja nën 16 vjeçe duhet t' u drejtohen këshillimoreve të specializuara. Në shumicën e kantoneve bëhet fjalë lidhur me këtë për këshillimoren e njohur për shëndetin seksual dhe planifikimin familjar dhe /ose shërbimin psikiatrik për të rinj. 

2. Metodat e ndërprerjes së shtatzënisë

Shtatzënia mund të ndërpritet duke marrë medikamente ose me anë të një ndërhyrjeje kirurgjike. Zgjedhja e metodës varet nga dëshira e gruas shtatzënë, nga kohëzgjatja e shtatzënisë dhe nga sëmundjet ekzistuese ose rreziqet tek gruaja.

Metoda me medikamente

Jepen me recetë dy medikamente të ndryshme. Medikamenti i parë me substancën vepruese 'Mifepriston' që e ndalon zhvillimin e shtatzënisë. Dy ditë më vonë pihet medikamenti i dytë - një prostaglandin, i cili ndikon që mitra të mblidhet duke u tërhequr. Zakonisht aborti ndodh disa orë më vonë.

Metoda me medikamente zbatohet deri në javën e 7-të respektivisht 9-të të shtatzënisë. Sipas situatës medikamentet pihen në klinikën e mjekut, në spital ose në shtëpi. Në çdo rast ka nevojë për një kontroll të mëvonshëm.

Metoda kirurgjike

Ndërprerja e shtatzënisë bëhet nën narkozë të plotë ose anestezi lokale. Qafa e mitrës zgjatet me kujdes disa milimetra, futet një gjilpërë me kanal dhe thithet përmbajtja e zgavrës së mitrës. Për të mos dëmtuar qafën e mitrës, shpesh herë para ndërhyrjes jepet një prostagladin që e bën më të butë atë. Ndërprerja kirurgjike e shtatzënisë bëhet në spital (në mënyrë ambulante ose, në rast nevoje, stacionare) ose në një klinikë mjekësore të pajisur veçanërisht për këtë qëllim. 

Efekte anësore

Metoda me medikamente 

  • Zakonisht dhimbjet janë mëtë forta sesa në rastin e menstruacioneve, të cilat kalojnë shpejt pas abortimit. Ngandonjëherë ato mund të zgjasin më gjatë. Në rast nevoje jepet një bar kundër dhimbjeve.
  • Shpesh gjakderdhje më të forta sesa në rast të menstruacioneve normale, të cilat sipas çdo gruaje mund të zgjasin ndryshe (disa ditë deri në disa javë).
  • Prostaglandini mund të shkaktojë vjellje dhe diarre (jashtëqitje) të lehtë.

 

Metoda kirurgjike 

  • Ngandonjëherë pas ndërhyrjes ose në rast të anestezisë lokale shfaqen për një kohë të shkurtër gjatë ndërhyrjes dhimbjet. Në rast nevoje jepet një bar kundër dhimbjeve.
  • Zakonisht gjakderdhje më të pakta sesa gjatë menstruacioneve (zakoneve), gjatë 4 deri 5 ditëve.
  • Anestezia mund të shkaktojë vjellje.

Rreziqet dhe komplikimet e mundshme

  • Në të dyja metodat rreziqet janë minimale. Komplikimet e rënda janë shumë të rralla.
  • Fertiliteti (pjellshmëria) dhe aftësia për të lindur mbeten të ruajtura pas ndërprerjes së shtatzënisë, një shtatzëni tjetër mund të.

Metoda me medikamente

  • Abortimi jo i plotë ose gjakderdhje të forta, të cilat bëjnë të nevojshme një trajtim me medikamente ose, rrallë herë, një thithje të zgavrës së mitrës.
  • Dështimi i metodës me vazhdimin e shtatzënisë.

Metoda kirurgjike

  • Lëndimi i qafës së mitrës dhe/ose të murit të mitrës.
  • Infektime, gjakderdhje, mpiksje në enët e gjakut (tromboze).
  • Thithja jo e plotë, e cila bën të nevojshme një ndërhyrje të dytë.

3. Bazat e vendimmarrjes, nëse të dy metodat vihen në dispozicion për zgjedhje 

Metoda me medikamente

  • Nuk ka anestezi
  • Nëse merret vendimi herët dhe qartë, shtatzënia mund të ndërpritet me këtë metodë brenda një afati të shkurtër.
  • Abortimi ndodh zakonisht disa orë pas pirjes së prostaglandinit. Por ajo mund të ndodë edhe më herët (rrallë) ose më vonë.
  • Ndërprerja përjetohet në gjendje të vetëdijshme.
  • Gjakderdhje më të gjata.
  • Dhimbje barku, të cilat pas qitjes mund të zgjasin pak a shumë më gjatë.

Metoda kirurgjike

  • Ndërhyrja kirurgjike nën narkozë të plotë ose anestezi lokale.
  • Më shumë kohë për gjetjen e vendimit.
  • Zakonisht ndërhyrja nuk bëhet para javës së 7-të.
  • Momenti i ndërhyrjes është i përcaktuar qartë.
  • Ndërhyrja nuk përjetohet në mënyrë të vetëdijshme, nëse ajo bëhet nën narkozë të plotë.
  • Gjakderdhje të shkurtra dhe në shumicën e rasteve të lehta pas ndërhyrjes.
  • Rrallë ndërlidhet me dhimbje më të gjata.

4. Sa kushton ndërprerja e shtatzënisë ?

Shpenzimet janë të ndryshme nga vendi në vend. Ndërprerja e shtatzënisë mund të kushtojë midis CHF 700 dhe CHF 3000. Ndërhyrja merret përsipër nga sigurimi bazë i sigurimit shëndetësor duke e zbritur franshizën dhe kontributin vetjak prej 10%. 

5. A duhet llogaritur pas ndërprerjes së shtatzënisë me pasoja psikike?

Pasoja të rënda mbi psikikën janë të rralla. Ndërprerja e shtatzënisë mund të shkaktojë ndjenja të përziera, për shembull ndenjën e lehtësimit, të përzier me trishtim (pikëllim), ose nevojën për të qarë. Reagime të ndryshme janë normale. Si përjetohet ndërprerja e shtatzënisë, kjo varet nga gjendja psikike dhe nga situata e jetës së personit. Lini që të këshilloheni, nëse trishtimi (pikëllimi) ose ndjenjat e fajit vazhdojnë pas ndërprerjes së shtatzënisë. 

6. Pas ndërprerjes së shtatzënisë

  • Përdorni një metodë të efektshme dhe të përshtatshme për situatën tuaj të mbrojtjes nga shtatzënia, sepse një shtatzëni e re mund të ndodhë shpejt përsëri.
  • Mendoni për mbrojtjen nga infektimet që ngjiten seksualisht .
  • Respektoni rekomandimet që keni marrë me rastin e ndërprerjes së shtatzënisë suaj për të shmangur një infektim gjenital. Përdorni peceta higjienike, hiqni dorë nga marrëdhëniet seksuale, bëni vetëm dush (mos bëni banjë ose not, mos bëni dush vagjinal ose banjë me avull, mos bëni hamam) gjatë kohëzgjatjes së rekomanduar.
  • Shkoni për kontroll në afatin e përcaktuar nga mjeku juaj, mjekja juaj.

Oferta e këshillimoreve për shëndetin seksual dhe planifikimin familjar në rast të shtatzënisë së paplanifikuar

  • Biseda në mirëbesim dhe falas për gra, burra dhe çifte të prekura - pavarësisht nga mosha, prejardhja ose feja - në një vend neutral. Edhe terminët në afat të shkurtër janë të mundshme.
  • Mundësia që të shkëmbeni mendime me një këshilltare ose me një këshilltar në fushën e shëndetit seksual mbi situatën tuaj, që të shprehni ndjenjat, dyshimet dhe nevojat tuaja, pavarësisht nga vendimi i marrë dhe për aq kohë sa të dëshironi.
  • Informacione për ndërprerjen e shtatzënisë dhe për ndihmat private dhe publike në mbajtjen e shtatzënisë.
  • Ndihmë në rast të veprimeve të domosdoshme gjatë ndërprerjes ose mbajtjes së shtatzënisë.
  • Këshillimi për metodat e ndryshme të mbrojtjes nga shtatzënia dhe për parandalimin e infektimeve që ngjiten seksualisht.
  • Nëse është e dëshiruar mund të organizohet një shoqërim gjatë ndërprerjes së shtatzënisë.
  • Shërbime të tjera si dhe të dhënat e kontaktit të këshillimoreve në www.sante-sexuelle.ch  

2014, SANTÉ SEXUELLE SUISSE, Fondation suisse pour la santé sexuelle et reproductive; ALECSS Association suisse latine des spécialistes en santé sexuelle, Éducation – Formation – Conseil; faseg, Fachverband sexuelle Gesundheit in Beratung und Bildung

Me mbështetjen profesionale dhe financiare  të migesplus
www.migesplus.ch – informacione shëndetësore në shumë gjuhë

Informacione të tjera për temën

Tema të tjera

Shkarkoni informacione

A keni pyetje

Në zyrën e specializuar për shëndetin seksual në rajonin tuaj persona të specializuar u përgjigjen pyetjeve tuaja me fshehtësi. Këta ju mbështetin që të gjeni një zgjidhje konkrete për situatën tuaj.

Më tepër informacione