Informacione të mbështetura nga ekspertët për shëndetin seksual Shmangia e shtatzënisë Kontracepsioni urgjent

Kontracepsioni urgjent

Kontracepsioni urgjent mund të parandalojë një shtatzëni në situata si

  • Çarja ose rrëshqitja e prezervativit
  • Harresa e kontraceptivit hormonal (pilula, unaza vaginale, leukoplast kontraceptiv)
  • Marrëdhëniet seksuale jo të mbrojtura ose jo të mbrojtura mjaftueshëm (për shembull në rast të ndërprerjes së mardhënjes seksuale - coitus interruptus - ose pas dhunës seksuale).

Në Zvicër ka dy metoda të kontracepsionit urgjent:

  1. Kontracepsioni urgjent hormonal
  2. Spiralja emergjente (spiralja prej bakri)

1. Kontracepsioni urgjent hormonal

Kontracepsioni urgjent hormonal («pilula emergjente») është një medikament që përbëhet nga një hormon dhe gëlltitet. Qëllimi kryesor i këtij medikamenti është që ta vonojë ovulacionin.

Kur duhet të merret?

Sa më shpejt që të jetë e mundur. Varësisht nga medikamenti 72 apo 120 orë pas rrezikut.

Ku mund ta marr unë atë?

  • Në apotekë
  • Në shumë qendra këshilluese për shëndetin seksual
  • Tek gjinekologet ose te mjekët e tjerë.

Çfarë duhet të di unë për kontracepsionin urgjent?

  • Kontracepsioni urgjent hormonal nuk mbron nga shtatzënia në rast të një marrëdhënie seksuale të mëvonshme. Për atë menjëherë pas marrjes së tij është i nevojshëm kontracepsioni efektiv (kondomi).
  • Ai nuk e zëvendëson kontracepsionin normal (kondome ose kontracepsion hormonal).
  • Nuk është një metodë për ndërprerjen e shtatzënisë. Nuk ndikon në një shtatzëni tashmë ekzistuese.
  • Kontracepsion urgjent hormonal është i mundur edhe gjatë dhënies së gjirit.
  • Në rast të vjelljes brenda 3 orëve pas marrjes drejtohuni te personi që ju ka dhënë kontracepsionin urgjent ose te një apotekë emergjente.

2. Spiralja e emergjencës (spiralja prej bakri)

Spiralja vendoset në mitër nga një mjeke ose një mjek. Spiralja përbëhet prej një pjese të vogël plastike, e cila është e mbështjellë me një fije bakri. Bakri ndikon që spermatozoidet të mos jenë më të aftë për fekondim. Ajo mund të pengojë edhe zënien vend të ovumit (vezës) të fekonduar.

Kur duhet të vendoset?

Brenda 5 ditëve (maksimalisht brenda 120 orësh) pas situatës së rrezikut.

Ku mund ta marr unë atë?

  • Në urgjencat e spitaleve
  • Te gjinekologia ose mjekë të tjerë
  • Në një këshillimore për shëndetin seksual dhe planifikim familjar të drejtuar nga mjekë.

Çfarë duhet të di unë për spiralen?

  • Është metoda më e besueshme e kontracepsionit urgjent
  • Spiralja e emergjences mund të përdoret si kontraceptiv gjatë shumë viteve. Ajo nuk ka asnjë ndikim ndaj ciklit natyror të femrës.

Si mund ta di që kontracepsioni urgjent ka pasur efekt?

  • Veni re fillimin e menstruacionit (periudhën, zakonet) tuaj të ardhshëm. Ai mund të vijë më herët ose më vonë sesa zakonisht.
  • Bëni një test shtatzënie 3 javë pas kontracepsionit të urgjencës,
    - nëse nuk ju ka ardhur gjakderdhja.
    - nëse menstruacioni juaj është ndryshe sesa zakonisht.
    - nëse përdorni një kontraceptiv hormonal.

Mirë të dihet

  • Mbrojtjen më të mirë nga infeksioni me HIV ose infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme ofron ‘safer sex’, kjo do të thotë:
    1. Gjatë marrëdhënieve me penetrim vaginal ose anal të përdoren gjithmonë kondomë për mashkullin ose femrën.
    2. Rekomandime të tjera, përshtatur situatës personale, mund të gjeni në ‘Safer-Sex-Check’ të faqes së internetit lovelife.ch.

2018, SANTÉ SEXUELLE SUISSE, Fondation suisse pour la santé sexuelle et reproductive; ALECSS Association suisse latine des spécialistes en santé sexuelle, Éducation – Formation – Conseil; faseg, Fachverband sexuelle Gesundheit in Beratung und Bildung

Me mbështetjen profesionale dhe financiare  të migesplus
www.migesplus.ch – informacione shëndetësore në shumë gjuhë

A keni pyetje

Në zyrën e specializuar për shëndetin seksual në rajonin tuaj persona të specializuar u përgjigjen pyetjeve tuaja me fshehtësi. Këta ju mbështetin që të gjeni një zgjidhje konkrete për situatën tuaj.

Më tepër informacione